Përkujtohet 50-vjetori i Kongresit të Drejtshkrimit

Akademia e Shkencave të Shqipërisë dhe Akademia e Shkencave dhe Arteve të Kosovës përkujtuan këtë të enjte 50 vjetorin e Kongresit të Drejtshkrimit i cili mundësoi edhe standartizimin e gjuhës shqipe.

Të ftuar ishin akademikë nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia e Veriut, pjesëmarrës të Kongresit të Drejtshkrimit para 50 vitesh si dhe drejtues shtetërorë, përfshirë kryeministrin e Shqipërisë Edi Rama dhe presidentin e Shqipërisë, Bajram Begaj.

Kreu i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, Skënder Gjinushi, foli për të ardhmen, ku sipas tij gjuha shqipe do të kthehet në gjuhën e integrimit të shqiptarëve, e kryeministri Rama foli për mungesë të personaliteteve të gjuhës shqipe sot.

Ai tha se rrezikohet gjuha e njësuar 50 vjet më parë. Në konferencën e 50-vjetorit të Kongresit të Drejtshkrimit, Gjinushi, vlerësoi vendimmarrjen e 50 vjet më parë si një moment thelbësor për identitetin kombëtar.

“Së bashku me Akademinë e Shkencave dhe Arteve të Kosovës kemi punuar për t’i dhënë kësaj ngjarjeve vëmendjen e duhur. Mirënjohje të gjithë atyre që kontribuuan në Kongresin e gjuhës shqipe 50 vjet më parë. Gjuha është baza e kombit shqiptar. Gjuha është së pari e lidhur me identitetin. Shqiptarët, të orientuar tërësisht drejt një bashkësie të qytetëruar evropiane, siç është Bashkimi Europian, do të bëhen pjesë e saj jo si toskë e gegë, por si shqiptarë e si një komb. Në aktet e Bashkimit Europian dhe në sallat e vendimmarrjes evropiane për ta do të ketë një sportel gjuhësor, një kabinë të vetme përkthimi, dhe në to do të përdoret shqipja e njësuar letrare, siç po kërkohet edhe institucionalisht. Gjuha e bashkimit do të kthehet në gjuhë të integrimit”, tha Gjinushi.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama foli për lëngimin që po has gjuha shqipe në kohët e sotme, ndërsa kujtoi veprën e atyre që mundësuan krijimin e gjuhës standarde 50 vjet më parë.

Rama tha se kritikat se ky kongres është bërë në kohën e komunizmit janë qesharake.

“Misionarët e Kongresit të Manastirit dhanë mesazhin se kombi është një përmes një alfabeti të përbashkët. Drejtshkrimi dhe gjuha e njësuar bëri të njëjtën gjë në vazhdimësi. Është nga të paktët procese që në historinë tona në njëson për nga struktura dhe metoda me vendet e tjera evropiane. Kemi pasur fatin që ndonëse pa një shtet tonin të kemi mendjen e ndritur të njerëzve të dalluar të këtij kombi. Burime njerëzore dhe karaktere të hatashme të këtij vendi, personalitete shumë më të mëdha se gjeografia e Shqipërisë. Kush janë të ngjashmit e Eqerem Çabejt, Mahir Domit, Aleks Budës e kështu me radhë, apo profesor Emilit(Lafe)?”, tha Edi Rama.

Kryeministri Rama apeloi sot për një punë më të madhe për një fjalor të plotë të gjuhës shqipe. Ai tha se shqipja nuk e ka një fjalor të tillë.

“Albanologu i famshëm Robert Elsie thoshte “Mua më vjen shumë keq që kur lexoj në shqip dhe nuk e kuptoj një fjalë, nuk e gjej dot në një fjalor”. Fjalori i shqipes zyrtare është vetëm gjysma e shqipes së vërtetë. Unë shpresoj që ne do t’ia dalim të kemi një fjalor të ri. Edhe një histori të shqiptarëve, dhe pastaj edhe një enciklopedi që edhe për këtë ka filluar puna”, tha Rama.

Ai u shpreh se është i shqetësuar për shqipen e folur përditë, e cila përdoret më së shumti në rrjetet sociale.

“Fjalori i shqipes së folur përditë, “Klm, tdsh” e këto…fjalori i gjuhës shqipe që është një nga nënproduktet e Kongresit të drejtshkrimit sot është në pikëpyetje të madhe. Akademia e Shkencave e ka çelur siparin e rishkrimit të fjalorit dhe u desh një komunist në krye të Akademisë së Shkencave që ta fillonte punën me themel. Mos u shqetësoni ca do thonë antikomunistët që janë trashëgimia më e tmerrshme që lanë komunistët, unë Skënderit nuk i vë faj që ka qenë komunist por i lë faj se na la Saliun”, tha Rama.

E presidenti i Shqipërisë, Begaj, tha se duhet dhënë rëndësi të madhe në shkolla, gjuhës e letërsisë shqipe.

“Në një botë, ku kulturat e mëdha po ngushtojnë gjithnjë e më shumë hapësirat për kombe e kultura të vogla, nevoja për pasurimin e gjuhës dhe mbrojtjen e saj nga huazimet e panevojshme është e madhe. Lëndës së gjuhës dhe letërsisë shqipe duhet t’i jepet përparësi në shkolla, në mënyrë që brezi i ri, jo vetëm të marrë njohuri të thella të gjuhës amtare, por të edukohet me krenari për gjuhën dhe kulturën, së cilës i përket. Veçanërisht diaspora duhet mbështetur me politika e programe të posaçme. Edhe pse larg atdheut të të parëve, brezat e rinj duhet të rriten me vetëdijen se i përkasin të njëjtës botë shqiptare. Puna për pasurimin e fjalorit të shqipes dhe përpilimin e fjalorëve, që pasqyrojnë ndërveprimin e saj me gjuhë të tjera, duhet të jetë parësore për akademikët dhe gjuhëtarët. Ngjyrimet dialektore janë pasuri dhe pjesë e trungut origjinal të shqipes, të cilat i bëjnë nder gjuhës dhe e mbrojnë nga huazimet e panevojshme. Jo më pak e rëndësishme është nevoja për mbrojtjen e shqipes nga padija gjuhësore dhe mosrespektimi i rregullave të saj. Gjuhëtarët dhe shkrimtarët duhet të kthehen në pedagogë të zëshëm publikë. Sa më të gjerë kufijtë e gjuhës, aq më të gjerë dimensionet e mendimit dhe shprehjes së një njeriu dhe të kombit. Shqipja është bota jonë – një botë që pret ta eksplorojmë dhe pasurojmë bashkërisht, deri në kufijtë e skajshëm të saj. Një komb një gjuhë”, tha Begaj.

Nga 20 deri në 25 nëntor të vitit 1972 në Tiranë i zhvilloi punimet Kongresi i drejtshkrimit të gjuhës shqipe i cili shënoi dhe standardizimin e gjuhës shqipe. Në të këtë përvjetor, institucionet albanologjike në Shkup, Tiranë e Prishtinë po zhvillojnë një sërë aktivitetesh.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në fjalimin e tij në formë virtuale, ka folur për rëndësinë e Kongresit të Drejtshkrimit.

“Ndihem me fat dhe jam fort i nderuar që mund t’iu drejtohem në këtë Konferencë Jubilare të 50-vjetorit të Kongresit të Drejtshkrimit të gjuhës shqipe. Dhe më vjen keq që m’u desh të udhëtoj për Paris e nuk mund të jem me juve fizikisht në Tiranë. Gjuha për ne shqiptarët është themel identitar dhe jo thjesht mjet komunikimi. Historia e standardizimit të gjuhës shqipe është e ndërlidhur ngushtë me historinë e ndërgjegjësimit tonë kombëtar, prandaj fazat e ndryshme të procesit të kristalizimit të shqipes së shkruar janë, në të njëjtën kohë, edhe faza të kristalizimit të kësaj ndërgjegjeje. Synimi drejt njësimit të gjuhës së shkruar, për shqiptarët, u kthye në një program që do të mundësonte edhe njësimin politik kombëtar. Kjo ishte arsyeja që për të gjithë letrarët shqiptarë, e sidomos për ata që nga Rilindja e këndej, ideja e shqipes së përbashkët u bë projekti kryesor atdhetar. Por, rruga drejt sendërtimit të këtij synimi nuk ishte e lehtë. U desh shumë mund, punë, përkushtim dhe jo rrallë edhe flijim, në mënyrë që shqipja të mbijetonte: të shkruhej, të mësohej e të kultivohej.

Dihet që standardizimi i një gjuhe nënkupton punën në reduktimin e varianteve gjuhësore në një varietet standard. Dhe historia e standardizimeve në botë tregon jo vetëm një larmi të madhe në mënyrën e përzgjedhjes së normës e të kodifikimit, por edhe implikime të pashmangshme politike në këtë proces. Një nga këto implikime është se përzgjedhja e një standardi gjuhësor ndikon thellë në kohezionin politik kombëtar”, tha Kurti. “Katër milionë shqiptarët e asaj kohe ishin shqiptarët e të gjitha trojeve. Sot, këta shqiptarë, janë shtuar edhe për disa milionë të tjerë, kështu që përgjegjësia jonë duhet të jetë edhe më e madhe, përkushtimi ynë edhe më i thellë”.

Marketing

spot_img

Të gjithë lajmet